Vijon të rritet numri i rasteve të reja me COVID-19 në Shqipëri.

Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 364 testime për të dyshuar të prekur me COVID-19, nga të cilat janë konfirmuar 82, kryesisht raste të kontakteve të mëparshme, por edhe raste të reja në proces hetimi në terren në Tiranë, Shkodër, Fier, Vlorë, Korçë dhe Durrës.

“Shpërndarja gjeografike e të identifikuarve pozitivë është si vijon: Tirana 28 të prekur, 18 në Shkodër, 10 raste pozitive në Krujë, 7 në Vlorë, 8 në Durrës, 2 në Elbasan, tre në Kamëz, nga dy raste në Kukës, Elbasan, Fier, dhe nga një rast përkatësisht në Korçë dhe Pukë. Numri i viktimave nga COVID-19 ka shkuar në 37. Mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë një 68 vjeçar nga Puka, i cili vuante nga spok dhe ishte në gjendje të rendë, i intubuar prej disa ditësh”, tha Marjeta Dervishi nga Instituti i Shëndetit Publik.

Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar nëntë qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarëve që nga fillimi i epidemisë në 1064. Aktualisht në spitalin infektiv po marrin shërbim 50 pacientë, 8 prej tyre janë në terapi intensive dhe dy i intubuar.

Në vendin tonë janë aktualisht 571 persona aktivë me COVID-19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë.