Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj, është takuar të premten në Shtëpinë e Bardhë me të dërguarin e posaçëm të SHBA-së për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell.

Cakaj ka thënë se ishte një takim i shkëlqyer. Përmes një postimi në “facebook” ai ka thënë se në takim është biseduar për rëndësinë e një marrëveshje të qëndrueshme mes Kosovës e Serbisë dhe nxitjes së zhvillimit ekonomik në Ballkanin Perëndimor në përgjithësi.

“S’ka marrëveshje të fshehtë, as plane për ndarje të Republikës së Kosovës, as shkëmbime territoriale, as nxitim për ndonjë marrëveshje të dëmshme, veç përpjekje për të nxitur zhvillimin ekonomik dhe për të forcuar popullin e Kosovës ndërkombëtarisht, me mbështetjen e SHBA-së”, ka shkruar Cakaj.

Sipas tij, pavarësisht sfidave, Shqipëria do të vazhdojë mbështetjen e pakursyer për Kosovën.

Kosova e Serbia ishte planifikuar të takoheshin më 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë, por takimi u anulua pas publikimit të aktakuzës nga Zyra e Prokurorit të Specializuar ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.