Shumë shtete të Bashkimit Evropian kanë rihapur kufijtë e tyre me shtetet evropiane më 15 qershor, pas tre muajve të izolimit, të vendosur me qëllim të luftimit të koronavirusit të ri.

Gjermania, Belgjika, Franca, Greqia dhe Republika Çeke janë disa prej shteteve që kanë rihapur kufijtë, të përcjella nga Austria më 16 qershor.

Ky hap i koordinuar ka ardhur pas rekomandimit të Komisionit Evropian për rihapje të kufijve në mes të vendeve të bllokut evropian, sa më shpejt që është e mundur.

Rihapja e kufijve prek më së shumti banorët e BE-së, Britanisë dhe pjesës tjetër të shtetasve të Evropës që mund të lëvizin pa viza.

Megjithatë, secili shtet është duke zbatuar rregulla të ndryshme, duke përfshirë kërkesat për teste, karantinë dhe këshilla specifike gjatë udhëtimit, si dhe kufizime për shtetet dhe rajonet individuale.

Tani për tani, vizitorët jashtë kontinentit evropian, do të duhet të presin për të hyrë në Evropë.

Presidenti francez, Emmanuel Macron ka njoftuar se Franca do të rihapë plotësisht ekonominë, duke përfshirë edhe të gjitha restorantet nga dita e hënë.

Ky vend do të rihapë të gjithë kujfitë për vendet e BE-së në po këtë ditë, derisa vizitorët nga kontinentet e tjera do të mund të hyjnë në këtë shtet më 1 korrik.

Qeveria spanjolle ka njoftuar se do të rihapë kufijtë për shumicën e vendeve evropiane nga 21 qershori.

Kjo rihapje lidhet edhe me heqjen e gjendjes së jashtëzakonshme.

Vendimi për rihapje të kufijve ka ardhur pavarësisht shqetësimeve se virusi mund të rikthehet, dhe parashikimeve se shumë evropianë mund të pushojnë nëpër shtëpi, në vend të udhëtimit jashtë vendit.

Numri i të infektuarve është rritur për më shumë se 100,000 në javën e kaluar, duke çuar shifrën totale në 320,000.

Në gjithë botën deri më tani janë regjistruar 7.8 milionë persona të infektuar me koronavirus.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, 430,000 e të prekurve kanë vdekur.