Strumicë, 7 korrik 2020  – Një furgon  me targa të Koçanit, i vozitur nga një shofer prej Koçani, në të cilin janë bartur një numër i madh i emigrantëve, sot në orën 11:50 shkaktoi aksident të rëndë  në udhëkryqin  e rrugëve “Mlladinska” dhe “Braqa Minkovi” në Strumicë. Janë lënduar tre persona.

“Tre emigrantë janë sjellur në spital. Prej tyre, njëri është me lëndime më të rënda, ndërsa dy me lëndime të lehta. Emigranti me lëndime më të rënda përgatitet për të hyrë në sallën e operacionit”, delaroi  drejtori i spitalit të Strumicës, dr. Naqe Gogov.

Sipas dëshmitarëve furgoni ka qarkulluar me shpejtësi  të madhe dhe ka goditur në tre automjete, prej të cilave dy ishin  të parkuara. Pas fatkeqësisë,  një pjesë e emigrantëve kanë ikur nga vendi i aksidentit.

Policia kryen inspektim, ndërsa më shumë informata paralajmërohen  për më vonë.