Rreth 200 mijë protestues marshuan në kryeqytetin e Bjellorusisë, Minsk, duke tejkaluar numrin e madh të atyre që marshuan në mbështetje të udhëheqësit autoritar Aleksandër Lukashenko.

Protestuesit antiqeveritarë hidhnin thirrje si “rroftë Bjellorusia” dhe i kërkonin Presidentit Lukashenko “të largohej” nga pushteti.

Nuk jemi në epokën e gurit. Bjellorusia është në shekullin 21-të dhe pavarësisht se ku kërkon të na çojë ish-udhëheqësi ynë, nuk do të përdorim armë kundër autoriteteve“, thotë protestuesi, Anton Svobodsky.

Në një nga banderolat që mbanin në duar protestuesit kërkohej ndërhyrja e Gjykatës Penale Ndërkombëtare të Hagës.

Marshimi nisi pranë Parkut të Fitores në qendër të Minskut dhe ishte protesta më e madhe në historinë e ish-republikës sovjetike.

Protestuesit u mbështetën nga rreth 1.000 demonstrues në Pragë. Kryeministri çek Andrej Babis kujtoi sesi protestat çeke u shtypën nga një pushtim ushtarak i drejtuar nga Moska në 1968, ajo që hyri në histori si Pranvera e Pragës. Por ai gjithashtu kujtoi rrëzimin paqësor të komunizmit në 1989 dhe i bëri thirrje Bashkimit Evropian të ndihmojë Bjellorusinë.

Po kështu rreth 50 mijë mbështetës të zotit Lukashenkos u mblodhën në Minsk. Presidenti tha se ai nuk ka në plan të zhvillojë një votime të reja pasi komisioni zgjedhor e shpalli atë fitues javën e kaluar me 80 për qind të votave.

Trupat e NATO-s ndodhen në portat tona. Lituania, Letonia, Polonia dhe Ukraina po na kërkojnë të zhvillojmë zgjedhje të reja”, tha zoti Lukashenko. “Unë nuk ju kam tradhtuar kurrë dhe nuk do ta bëj“, shtoi më tej ai.

Një përkrahës i zotit Lukashenkos tha se “papritmas të gjithë kanë harruar gjërat e mira që ai ka bërë. Ai ka vendosur rendin në vend dhe nuk ka luftë apo uri”.

Perëndimi e quan Aleksandër Lukashenkon “diktatorin e fundit të Evropës” duke e akuzuar për shtypje të fjalës së lirë e të drejtave të njeriut si dhe për pak tolerancë ndaj opozitës.

Ai është akuzuar prej kohësh për marrëdhëniet e tij miqësore me Moskën në kurriz të lidhjeve me Perëndimin.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur të hënën se pas numërimit të të gjitha votave, Aleksandër Lukashenko fitoi 80.23 për qind të tyre ndërsa kandidatja kryesor e opozitës Sviatlana Tsikhanouskaya 9.9 për qind. Kjo e fundit hyri në garë pas arrestimit të burrit të saj, blogerit dhe një kandidat i mundshëm i opozitës, Siarhei Tsikhanousky. ZonjaTsikhanouskaya tha që ajo kurrë nuk do ta pranojë rezultin e zgjedhje deklaratë që i parapriu largimit të saj drejt Lituanisë për të garantuar siç tha, sigurinë e fëmijëve të saj.

Zoti Lukashenko e mori pushtetin pasi Bjellorusia shpalli pavarësinë nga Bashkimi Sovjetik dhe ushtron detyrën e president që nga 1994. Të dielën ai u tha shefave ushtarakë të vendit se Presidenti rus Vladimir Putin u ka premtuar “ndihmë gjithëpërfshirëse” për “të garantuar sigurinë e Bjellorusisë”. Kremlini bëri të ditur përmes një deklarate se të dy presidentët ranë dakord se “problemet” në Bjellorusi do të “zgjidhen shpejt” dhe se lidhjet e dy vendeve do të forcohen. / VOA