Presidenti amerikan Joe Biden theksoi sot mbështetjen e Amerikës për Ukrainën. Në bisedimet me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, i pari që nga një raport mbi vendosjen e trupave ruse në kufirin lindor të Ukrainës, Biden riafirmoi “mbështetjen e palëkundur për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës përballë agresionit të vazhdueshëm rus”, tha Shtëpia e Bardhë në një deklaratë

Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina deklarojnë se Rusia po rrit tensionet në Ukrainën lindore, ku separatistët, të mbështetur nga Rusia, kanë luftuar kundër forcave Ukrainase që nga viti 2014. Rusia mohon të ketë një prani ushtarake në Ukrainën lindore.

Javën e kaluar, Pentagoni akuzoi Rusinë për shkeljen e armëpushimit të vitit 2020 dhe përmendi konfliktin në 26 Mars, kur katër ushtarë ukrainas u vranë nga një sulm me mortaja ruse, sipas ushtrisë ukrainase.

Në një mesazh në Twitter pas bisedimeve me Biden, Zelensky tha se Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara janë së bashku në ruajtjen e demokracive të tyre dhe e quajti partneritetin me Shtetet e Bashkuara “vendimtar” për Ukrainën.

Biden theksoi gjithashtu se ai është i përkushtuar për të ringjallur partneritetin strategjik të dy vendeve dhe për të mbështetur luftën e Zelenskit kundër korrupsionit dhe për të promovuar reformat demokratike, tha Shtëpia e Bardhë.

Zelenski dhe Biden diskutuan gjithashtu bashkëpunimin në forcimin e demokracisë në Evropën Lindore dhe luftimin e pandemisë Covid-19, shtoi deklarata e SH.B.A.