Ora policore do të vazhdojë të jetë në fuqi edhe për 2 javë. Qytetarët do ta kenë të ndaluar lëvizjen nga ora 24:00 deri në 4 të mëngjesit, ndërsa kafe mund ta pinë deri në ora 23:30 nëpër veranda të objekteve gastronomike vetëm nga katër persona në tavolinë. Komisioni për sëmundje infektive ka vendosur që masat aktuale të ngelen në fuqi deri më 1 qershor, njofton anëtari i këtij organi, Shaban Memeti për TV21.

“KSI në mëngjes ka vlerësuar situatën e javës së fundit të rasteve Covid-pozitiv, të vdekshmërisë, të rasteve të hospitalizuara. Siç e theksuam kemi një ulje për 50% të rasteve, nuk kemi ndonjë vendim sa i takon orës policore që të shkurtohet më shumë apo të hiqet, apo ndonjë rekomandim ose masa restriktive tjeër të eleminohet. Pra deri me një qershor mbeten të njëjtat masa.” – deklaroi Shaban Memeti, Drejtor i ISHP.

Komisioni do ta shqyrtojë edhe për dy javë të tjera situatën epidemiologjike me virusin korona, për të sjellë më pas rekomandime për lirimin ose shtrëngimin e masave anti-covid. Nga dy javët e ardhshme varet edhe fati i gastronomëve por edhe bizneseve që organizojnë dasma dhe ahengje tjera më të mëdha. Situata dhe kthimi në normalitet varet edhe nga procesi i vaksinimit, tha Memeti.

“Deri tani janë vaksinuar 196.562 qytetarë, prej të cilëve doza e parë është 167.285, ndërsa doza e dytë janë 29.277. Vaksinat që janë proceduar gjatë kësaj periudhe, apo që janë vaksinuar qytetarët janë: AstraZeneca 23.833 janë doza e parë, është Sputnik me 22.869 doza e parë dhe 21.930 doza e dytë, është Pfizer me 17.114 doza e parë dhe 6.778 doza e dytë, vaksina kineze 104.038 doza e parë, nga jo kineze pritet edhe doza e dytë, sepse kanë ardhur pak me vonesë.” – deklaroi Shaban Memeti, Drejtor i ISHP.

Raporti për javën e fundit nga ISHP tregon një ulje prej 50% të rasteve poztive dhe një rënie prej 50% të rasteve të vdekjeve si pasojë e virusit korona, krahas kësaj edhe ulje të pacientëve që kërkojnë trajtim nëpër Qendra-Covid.