Një ditë para takimit në Sofje me presidentin bullgar Rumen Radev, kryeministri Zoran Zaev sërish tha se nuk është shumë optimist se brenda javës mund të arrihet marrëveshje me Bullgarinë. Si pengesë për këtë, Zaev e thekson faktin që Bullgaria ka Qeveri teknike. Duke iu përgjigjur akuzave të VMRO-DPMNE-së se kryeministri do të tradhtojë gjuhën dhe identitetin maqedonas, Zaev tha se këto dy çështje nuk janë pjesë e negociatave me Sofjen zyrtare.

Çështja është se për gjuhën maqedonase dhe për identitetin maqedonas nuk negociojmë dhe aspak nuk janë në tavolinë. Flasim për propozimin portugez i cili vjen nga Portugalia si kryesuese me Këshillin e BE-së, respektivisht me Bashkimin Evropian dhe e cila mban llogari për gjuhën maqedonase dhe për identitetin maqedonas. njëkohësisht mban llogari edhe për pozitat bullgare – deklaroi Zoran Zaev, kryeministër.

Kreu i opozitës Mickovski në rrjetet sociale sërish ka akuzuar katërshen Zaev, Buçkovski, Osmani dhe Dimitrov se po përgatisin tradhti të radhës.

Katërshja e udhëhequr nga Zoran Zaev do ta pranojë të gjithë atë që më vonë duhet të realizohet me ardhjen e Qeverisë së re në Bullgari. Janë të rrezikuara interesat kombëtare dhe shtetërore. Zaev jep dhuratë e cila do t’i kushtojë shumë shtrenjtë shtetit tonë. Apeloj që populli maqedonas të jetë i vëmendshëm, me vetëdije dhe zgjuarsi të mos lejojmë tradhti të re të kuartetit Zaev, Buçkovski, Osmani dhe Dimitrov – deklaroi Hristijan Mickovski, VMRO-DPMNE.

Kryeministri Zaev bashkë me ministrin e Jashtëm Bujar Osmani, zëvendëskryeministrin Nikolla Dimitrov dhe me përfaqësuesin e posaçëm në bisedimet me Bullgarinë, Vllado Buçkovski, të enjten udhëton për në Sofje, për tu takuar me me përfaqësuesit e partive më të mëdha politike por edhe me kreun shtetëror të Bullgarisë./am/