Më 8 shtator, në orën 21 e 2 minuta shpërtheu zjarr në spitalin modular në Tetovë. Në një kohë shumë të shkurtër zjarri shkatërroi çdo gjë ndërsa si pasojë jetën e humbën 14 persona, 12 prej tyre pacientë me covid 19. Sot, një muaj pas tragjedisë, çështja mbetet në qendër të vëmendjes së publikut. Autoritetet hetuese konstatuan se përfundimisht zjarri ka shpërthyer nga një kabllo zgjatuese në të cilën ishin lidhur tre pajisje, pra një defibrilator, një karikues telefoni dhe një pajisje tjetër. Ky është i vetmi raport që u zbardh deri më tani nga Prokuroria e Tetovës. Katër teknikë të krimit nga Policia Kriminale Federale Gjermane gjithashtu inspektuan, por nuk ka përgjigje. Rreth 20 ditë më parë, kryeministri Zaev njoftoi se do të përfundojë së shpejti.
“Ato raportin do e paraqesin për 10 deri në 15 ditë …”- tha Zoran Zaev.

Por kanë kaluar tre javë nga kjo deklaratë dhe raporti nuk është dorëzuar. Ndërkohë, prokuroria e Tetovës është ende duke kryer procedurë para-hetimore për rastin në fjalë. Deri më tani, rasti nuk tregon indikacione për vepër të mundshme penale. Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ndërkohë, është ende duke shqyrtuar dokumentet e Bankës Botërore dhe Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale mbi ndërtimin e spitaleve modulare. Hetimi i tyre duhet të tregojë nëse është ndërtuar sipas standardeve dhe nëse ka pasur mbikëqyrje? Drejtorët e spitalit të Tetovës kanë dhënë dorëheqje të parevokueshme, por vazhdojnë t’i kryejnë funksionet e tyre. Sipas qeverisë, ata do të shkarkohen pas zgjedhjeve lokale. Ministri Venko Filipçe dhe zëvendësi i tij Ilir Hasani mbeten në vendet ministrore. Kryeministri Zaev vlerësoi se nuk duhet të pranojë dorëheqjet e tyre.