Sindikata e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës në Maqedoninë e Veriut ka paralajmëruar grevë të përgjithshme apo bojkot të mësimit nëse Qeveria nuk përmbush kërkesën për rritjen e pagave të punonjësve të arsimit parashkollor, fillor dhe të mesëm.

Kjo u bë e ditur nga kryetari i sindikatës, Jakim Nedelkov, pasi Qeveria ende nuk ka dalë me qëndrim për harmonizimin e pagave të të punësuarve në sektorin e arsimit.

Sindikata kërkon zbatimin e marrëveshjes kolektive që garanton rritjen e pagave dhe jo një zgjidhje të pjesshme apo rritje minimale.

“Bisedimet i kemi përfunduar, por ende nuk kemi asnjë përgjigje nga Qeveria për rritjen e pagave, apo harmonizimin e tyre me marrëveshjet kolektive. Ne nuk përjashtojmë asnjë mundësi të shprehjes së pakënaqësisë, që nga bojkoti i mësimit e deri te protestat masive. Vendimin përfundimtar për këtë do ta marrin organet e sindikatës të shtunën”, thotë Nedelkov.

Në Maqedoninë e Veriut, në arsimin parashkollor janë të punësuar rreth 4,500 persona, rreth 20,000 në arsimin fillor dhe afër 8,000 në arsimin e mesëm.

Paga mesatare e arsimtarëve në arsimin fillor arrin 21,600 denarë (350 euro), ndërsa në arsimin e mesëm 22,500 denarë (365 euro).

Nedelkov thotë se në rast se nis të zbatohet marrëveshja kolektive, të punësuarit do të marrin paga dyfish më të larta, deri në 44 mijë denarë apo rreth 700 euro. Ai konsideron se pagat që aktualisht marrin punonjësit e arsimit janë të përafërta me pagën minimale, që me rritjen e fundit ka arritur në 18,000 denarë (300 euro).

“Pagat që tani marrin punonjësit e arsimit janë qesharake. Unë nuk e nënvlerësoj asnjë profesion, pra edhe ata që marrin paga minimale, por është absurde që punonjësit e arsimit të marrin paga thuajse të përafërta me pagën minimale. Me këto paga dhe me këto standarde ne nuk mund të shkojmë në Evropë. Ata që duhet ta respektojnë ligjin, këtë nuk e bëjnë, atëherë si mendojnë të futen në Evropë, duke shkelur ligjet, duke nëpërkëmbur dinjitetin e mësimdhënësve?”, shprehet Nedelkov.

Qeveria maqedonase nuk e ka komentuar paralajmërimin e sindikatës, por në disa raste ka theksuar gatishmërinë për vazhdimin e bisedimeve për gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme.

Sipas Qeverisë, “zbatimi i marrëveshjes kolektive do të ishte i papërballueshëm për buxhetin e shtetit”. Rrjedhimisht, Qeveria thotë se po shqyrton mundësi tjera për rritjen e pagave, edhe pse sindikata si zgjidhje kishte ofruar zbatimin e marrëveshjeve kolektive në disa faza që të mos shkaktonte probleme financiare për Qeverinë.

Në Kuvend janë dërguar edhe ndryshimet në Ligjin për arsimin fillor, që sipas partive në pushtet, mundësojnë rritjen e pagave, por edhe zgjidhjen e statusit të mbi 4,500 punonjësve të arsimit që punojnë me kontrata të përkohshme.

Por, miratimi i këtij ligji është bllokuar nga opozita, e cila e vlerëson të dëmshëm pasi, sipas saj, “punësimet do të bëhen në baza partiake, ndërsa rritja e pagave do të jetë simbolike”.