Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i kërkoi Joe Biden të mos vendosë sanksione ndaj pronarit të Chelsea, Roman Abramovich pasi ai mund të jetë një ndërmjetës i dobishëm në bisedimet e paqes.

Ndërsa Britania e Madhe ka vendosur masa të rrepta ndaj oligarkut për të “izoluar” Vladimir Putin, Joe Biden i ka rezistuar presionit për ta shënjestruar atë në mënyrë specifike.

Pas një telefonate nga Zelensky, Shtëpia e Bardhë thuhet se ka bindur Departamentin e Thesarit të SHBA-së që të mos vazhdojë me planet për të synuar Abramovich dhe bizneset e tij.

Kështu, një nga njerëzit më të pasur në botë i ka shmangur sanksionet e SHBA, pavarësisht se Britania e Madhe dhe Bashkimi Evropian e goditën atë me ndalime udhëtimi dhe ngrirje të pasurive.

Sipas raportimeve, Biden u konsultua me Zelensky për një sërë sanksionesh, duke përfshirë planet për shefin e Chelseat.

Ndonëse ka shumë oligarkë që janë shprehur kundër kësaj lufte, Abramovich është i vetmi që është vetëofruar për të shtyrë Kremlinin drejt një zgjidhjeje paqësore të konfliktit.