Qeveria do t’i paguajë një agjencie private të punësimit “​130 mijë euro për punësime të përkohshme.

Marrëveshja është nënshkruar më 11 mars të këtij viti nga ish-sekretari i përgjithshëm i Qeverisë Muhamed Zeqiri, i cili tashmë gjendet në paraburgim i dyshuar për keqpërdorime financiare.

Kontrata njëvjeçare është nënshkruar me agjencinë “Spid” dhe shërbimet për punësim të përkohshëm do të përdoren sipas nevojës nga Qeveria, përcjell portali Faktor.

Kjo është një nga marrëveshjet që Zeqiri e ka lidhur në muajin e fundit të angazhimit si Sekretar i Përgjithshëm në Qeveri. Marrëveshja, e cila është publikuar në uebsajtin e prokurimit elektronik, nuk specifikon se sa persona do të punësohen dhe për sa kohë. Nga realizimi i shërbimit do të varet edhe vlera e përgjithshme e kontratës, e cila përndryshe është lidhur në vlerë të përgjithshme prej 8 milionë denarë apo rreth 130 mijë euro.

Sipas njoftimit në portalin e prokurimit, në njoftim kanë dalë disa kompani ose gjithsej gjashtë, por është përzgjedhur “Spid”. Qeveria edhe më parë ka punësuar përmes agjencive për punësim.

Në nëntor të vitit 2019, ministri i atëhershëm i shoqërisë informatike dhe administratës, Damjan Mançevski, shpalli heqjen e mundësisë së punësimit përmes agjencive për punësim të përkohshëm për shkak të mundësisë së keqpërdorimit. Megjithatë, edhe pas tre vitesh ka punësime të përkohshme. Mançevski argumentoi se punësimi me kohë të pjesshme, për shkak të mënyrës se si është i rregulluar, lë hapësirë ​​për abuzim.