Presidenti i SHBA-së i ka thënë këshilltarëve të tij javën e kaluar se dëshiron vendosjen e 10 mijë trupave në Washington për të ndalur trazirat civile, sipas një zyrtari të lartë të SHBA-së.

Raportimet e kërkesës së Trumpit të hënën e kaluar tregojnë se sa afër kërcënimit ka qenë presidenti dhe se do të vendosë ushtarë aktivë, pavarësisht opozitës nga udhëheqësia e Pentagonit.

Gjatë takimit në Zyrën Ovale, sekretari i Mbrojtjes, Mark Esper këshilltari më i lart ushtarak i presidentit, gjenerali Mark Milley, dhe gjykatësi gjeneral William Barr këshilluan kundër një vendosje të tillë, ka thënë ky zyrtar, duke folur me kusht anonimiteti.

Shtëpia e Bardhë nuk i është përgjigjur kërkesave për koment nga ana e agjencisë Reuters.

Përpjekja e Trumpit që të militarizojë përgjigjen ndaj protestave ka ndezur reagime të ashpra dhe të rralla nga ish-zyrtarë ushtarakë të SHBA-së, përfshirë ish-sekretarin e parë të mbrojtjes së Trumpit, Jim Mattis, si dhe gjeneralëve tjerë të lartë të cilët zakonisht nuk përzihen në politikë.

Sekretari i tanishëm i mbrojtjes, Mark Esper, publikisht kundërshtoi vendosjen e ushtarëve gjatë protestave, dhe thuhet se kjo gjë nuk u prit mirë as nga Trump e as nga ndihmësit e tij.

Zyrtari i lart, i cili dëshiron të mbetet anonim, tha se Trump i kishte bërtitur Esperit pas konferencës për shtyp, transmeton KOHA.

Menjëherë u spekulua nëse presidenti do ta shkarkojë nga puna, por zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Kayleigh McEnany ka thënë se “Trump ka besim të madh në Sekretarin Esper”.

Esper publikoi një memorandum të martën e kaluar duke përkujtuar personelin e Departamentit të Mbrojtjes se “zotohen në të drejtën e popullit amerikan për liri të fjalës dhe tubim paqësor”.