Gjermania ka njoftuar masa të reja kundër pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), pasi kancelarja gjermane, Angela Merkel, u takua me krerët e shteteve federale përderisa numri i rasteve të konfirmuara me këtë virus vazhdon të rritet në të gjithë vendin, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ndër masat e reja do të jetë gjoba në vlerë prej 50 euro për ata që japin informacione të rreme personale kur hyjnë në restorante ose kafene.

Në rajonet ku numri i rasteve tejkalon 35 në 100 mijë banorë, në ngjarje në vende private do të lejohet pjesëmarrja e maksimum 25 personave, ndërsa në publik jo më shumë se 50 persona.

Në zonat ku ka mbi 50 raste në 100 mijë banorë ngjarjet private do të kufizohen në 10, ndërsa ato në publik në 25.

Qeveria po ashtu inkurajoi banorët të mbanin maska të fytyrës dhe të respektojnë rregullat e higjienës, si dhe rregullisht të ajrosen vendet e brendshme.

Merkel tha se Gjermania gjatë verës regjistroi një rënie në numrin e rasteve të konfirmuara me COVID-19, por se rritja aktuale e infeksioneve ka shkaktuar shqetësim.

Ajo shtoi se qeveria dëshiron ta mbajë të hapur ekonominë, shkollat dhe qendrat ditore.