Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka thënë se nëse Shqipëria pajis me pasaporta qytetarët e Kosovës do të penalizohej nga Bashkimi Evropian me heqje të vizave.

Meta, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se për Shqipërinë është betejë që Kosova sa më shpejt të marr liberalizimin e vizave.

“Një punë dhe disa përpjekje janë bërë edhe nga institucionet e Shqipërisë dhe nga Qeveria e Shqipërisë në raport me vendet e Bashkimit Evropian, por vonesat e demarkacionit me Malin e Zi e penguan procesin”

“Tani që Kosova i plotësoi të gjitha kriteret si asnjë vend tjetër më parë, patëm disa konjuktura që u ndikuan edhe nga zgjedhjet e Parlamentit Evropian”.

Duke folur për kërkesën e presidentit Thaçi për të pajisur qytetarët e Kosovës me pasaporta shqiptare, Meta thotë se ekzistojnë disa probleme për të marrë një vendim të tillë.

“E kam bërë të qartë se një vendim që do të bllokonte liberalizimin e vizave për Shqipërinë nuk do t’u shërbente as qytetarëve të Kosovës por do të penalizonte edhe qytetarët e Shqipërisë, që tashmë e gëzojnë këtë të drejtë”, tha Presidenti i Shqipërisë.

“Shqipëria është në monitorim të vazhdueshëm sa u përket vizave. Ju shikoni rastin e fundit të Parlamentit holandez, i cili i kërkoi qeverisë dhe institucioneve evropiane ndalimin e vizave për Shqipërinë”, tha Meta.