Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një konference për medie pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit, ka njoftuar për vendimet që janë marrë sot.

Osmani tha se vendimi i parë ka të bëjë me tejkalimin e lejuar sipas ligjit për menaxhimin e financave që krijon një bazë të nevojshme ligjore sa i përket menaxhimit të pandemisë për kah aspekti ekonomik.

Ndërsa vendimet tjera që u morën në mbledhjen e sotme të kryesisë së Kuvendit, lidhen me marrëveshje ndërkombëtare që po presin tash e sa kohë në Kuvend por që sipas Osmanit, për shkak të mungesës së konsensusit në të kaluarën nuk po kalonin.

“Tani kemi arritur pajtim që të procedohen në Kuvend dhe pas trajtimit këto dy ditë ato vendime do të procedohen të enjtën në Kuvend dhe shpresoj se do të miratohen me 2/3 e votave sepse të gjitha janë marrëveshje ndërkombëtare që kanë të bëjnë me mbrojtjen dhe ndihmën në raport me qytetarët”, ka thënë kryeparlamentarja Osmani.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës ka deklaruar sot se Kosova ka qenë gjithmonë e gatshme për dialogun me Serbinë, por jo të tipit të presidentit, Hashim Thaçi.

Kryeparlamentarja pas përfundimit të mbledhjes së kryesisë në një konferencë për medie tha se i pari u shtetit duhet të sqarojë a qëndron ende prapa idesë për korrigjim të kufijve.