Deputeti i Vetëvendosjes Mefail Bajqinovci ka publikuar disa pamje nga një restorant në fshatin Karaçevë të Kamenicës duke pretenduar se rreth 1 kilometër në brendësi të kufirit të Kosovës janë futur 11 pjesëtarë të uniformuar të xhandarmërisë serbe. Siç shihet edhe në pamjet e publikuara, dallohen qartë një numër i konsiderueshëm personash të veshur ushtarak dhe të armatosur.

Lidhur me këtë reagoi edhe Policia e Kosovës e cila bëri të ditur se pas publikimit të videos kishte çuar atje pjesëtarë të saj për patrullim, por se nuk kishin konstatuar asnjë prezencë të ushtarëve serbë.

Ndërkohë kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, e ka quajtur shqetësues veprimin e hyrjes në Karaçevë të xhandarmërisë serbe. Kastrati thotë se lidhur me këtë çështje u ka nisur shkresë zyrtare Presidentit të Kosovës, Kryeministrit, Ministrit të Mbrojtjes e atij të Punëve të Brendshme.