Personi për të cilin u raportua të jetë alivanosur gjatë ditës së sotme në rrugën Gjilan – Ferizaj, mësohet se ka ndërruar jetë.

Në kontakt me Policinë Rajonale të Gjilanit, portalit Koha.net i është konfirmuar se i ndjeri ka ndërruar jetë rreth orës 8 të mëngjesit të sotëm.

Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë në Gjilan, ka thënë se i ndjeri ka pësuar infarkt dhe për pasojë ka ndërruar jetë.

“Viktima është dërguar në Spital, ndërsa atje kanë konstatuar se ka qenë pa shenja jete”, ka thënë Hashani.

Sipas tij, viktima është shqiptar, me prejardhje nga Maqedonia, i vitit të lindjes 1954, ndërsa në momentin kur është gjetur skaj rrugës, i ndjeri ka pasur një kanellë në dorë, që sipas Hashanit, dëshmon se ka viktima vuante nga sëmundja e zemrës.

Hashani ka mohuar që vdekja e të moshuarit të ketë ardhur si pasojë e të nxehtit.

Pas konstatimit se viktima ka ndërruar jetë, trupi i është dorëzuar familjarëve.