Rritja e vazhdueshme e numrit të të infektuarve dëshmon për keq menaxhimin e vazhdueshëm të qeverisë me situatën e krijuar nga pandemia Covid19, akuzojnë nga Aleanca për Shqiptarët. Sipas tyre fatkeqsisht qeveria ende nuk po tregon pjekuri për seriozitetin e situatës prandaj edhe duhet të ndërmerren urgjentisht masa.

“Në kohën kur të gjitha shtetet përreth lajmërojnë për uljen e numrit të të infektuarve, tek ne ky numër po rritet. Me këto të dhëna, Maqedonia e Veriut vendoset në listën e “zezë”- që do të thotë restrikcione, respektivisht ndalesë për udhëtim të banorëve tanë jashtë shtetit. E njëkohësisht edhe ardhje të qytetareve nga shtetet tjera këtu.Kjo sjell vështirësi për çdo qytetarë të vendit tonë dhe thellon edhe më tepër situatën ekonomike, e cila edhe ashtu është mjaft e vështirë.Këto janë fakte të mjaftueshme të cilat ngarkojnë me përgjegjësi ministrin e shëndetësisë Venko Filipçe, koordinatorin e shtabeve të krizës së komunave Bujar Osmani, anëtarët e shtabit të krizës dhe të gjithë të angazhuarit për menaxhim të krizës, të cilët së paku nga aspekti moral duhet të dorëzojnë dorëheqje të parevokueshme nga postet e tyre!”- tha Vullnet Ferati, nënkryetar i Aleancës për Shqiptarët.