Telegrafi Maqedoni në vazhdimësi në të ardhmen do të bëjë intervista me kryetarët e komunave në Maqedoninë e Veriut, për të marrë vesh rreth funksionimit të komunave dhe punën e kryetarëve në përmbushjen e premtimeve të dhëna në zgjedhjet lokale të vitit 2017. Në vazhdim do ta lexoni intervistën me kryetarin e Komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiu.

1. Cilat ishin sfidat e deritanishme si kryetar i Komunës së Zhelinës?
Duhet ta pranoj se, ecuria jonë deri këtu nuk ishte aspak e lehtë dhe sfidat me të cilat u ballafquam ishin të natyrave të ndryshme. Si fillim, ne nuk e dinim se borxhi do jetë aq i madh, që padyshim se kjo në fillim dukej ‘mision i pamundur’, duke e pasur paraqysh borxhin aq të madh të trashëguar. Kjo na pamundësonte menaxhimin normal dhe realizimin e planeve tona si qeverisje lokale.

Sfidë tjetër e madhe ishte kthimi i besimit tek qytetarët për autoritetin komunë dhe kryetar komune.
Ata në fillim nuk besonin se me të vërtetë do t’ju shërbejmë me ndershmëri tyre. Duke menduar se krejt janë njësoj, duke aluduar në harresën e kërkesave të tyre. Por sot, nuk i kemi ato probleme. Kemi kthyer besimin dhe kemi komunimim të shkëlqyer me qytetarët.
Sa i përket komunikimit tonë me pushtetin qendror kemi qenë të trajtuar në menyrë selektive nga partitë shqiptare në pushtet duke na dëmtuar njëra me marrjen e kompetencave në arsim, tjetra me diskualifikimin e projektit të shtëpisë së kulturës i paraparë në Zhelinë etj.
Dhe për fund, kemi punuar edhe me ngritjen e vetëdijes qytetare të ruajtjes së ambientit si dhe krijimin e kulturës së pagesave ndaj detyrimeve komunale konform ligjit.

2. Cilat janë projektet e bëra me të cilat krenoheni deri tani?
Festivali për fëmijë i organizuar në disa shkolla në bashkëpunim me “Muzeun Mobil” nga Kosova;
Festivali i trashëgimisë kulturore “Sofra Fest”;
Asfaltimi i rrugëve në Strimnicë, Trebosh-Tetovë, Çiflik-Llërc, Novosellë dhe Grupçin;
Rinovimi i tërësishëm i shkollave: në Pallaticë, Zhelinë, Strimmicë, Çiflik, Llërcë, Uzurmisht dhe së shpejti ndërtim i shkollës së re në Cerovë;
Zgjidhja e ujësjellësit në Zhelinë,
Zhvillimi i turizmit malor në Sallarevë për të cilin kemi përgatitur projekt të detajuar dhe të cilën zonë do të shëndrrohet në destinacion atraktiv turistik.
Vendosja e këndeve për fëmijë në 12 vendbanime, e cila do vazhdojë edhe sivjet dhe shumë projekte të tjera.

3. Për cilat projekte ju ka mbetur peng dëshira që duhet t’i realizoni?
Turizmi malor në Sallarevë dhe ndërtimi i Bulevardit në Zhelinë duke vazhduar me ndërtimin e parkut deri tek stadiumi i fshatit, me qëllim të shndrrimit të një “keji” periferik buzë lumit Vardar.

Normalisht, se do të kisha shumë dëshirë që një ditë të realizohet projekti i rrjetit të kanalizimit dhe ujësjellësit edhe për fshatrat e Dërvendit, pasi atje asnjë fshat nuk është i kyçur në rrjet të kanalizimit si dhe mungesës së ujit të pijshëm, për shkak të mungesës së projekteve dhe kostos.

4. Sa është i rëndësishëm komunikimi me qytetarët për të gjetur probleme që duhet të zgjidhen në komunën tuaj?
Komunikimi me qytetarët është shumë i rëndësishëm. Pa bashkëpunimin dhe përkrahjen e qytetarëve, normalisht se nuk do të arrinim deri këtu ku jemi (qoftë edhe me realizim).
Qytetarët janë faktori kyç, që kontribuojnë në gjetjen e zgjidhjes së problemeve lokale. Ata i kemi këshilltarë, më të saktë për çdo dilemë apo sfidë që na paraqitet në terren.
E kam thënë edhe në fushatën time në zgjedhjet lokale, se ne, nuk duam të ecim mbrapa qytetarëve, as para tyre, por do të ecim (qeverisim) dorë për dore me ata, që çdo njëri të ndjehet i barabartë dhe komunën e tij/saj ta pranojë se është e veta.

5. A do të kandidoni përsëri si kryetar i Komunës së Zhelinës dhe sa janë gjasat se do të rizgjidheni?
Ju e dini se tani gjendemi në fushatë të zgjedhjeve të parakohshme Parlamentare dhe se kemi ende kohë deri në zgjedhjet lokale. Që dmth se, kemi ende shumë punë të hapura dhe projekte tjera që presim t’i realizojmë.
Pasi t’i përfundojmë të gjitha këto projekte që kemi nisur, s’do mend se do të dalim para qytetarëve të raportojmë për të gjitha punët tona duke ua lënë që pastaj ata të vlersojnë se, kemi qenë ose jo, të sukseshëm.
Rikandidimi im është pak i rëndësishëm. E rëndësishmja është kënaqësia e qytetarëve ndaj punës sonë. Sidoqoftë, ne vetëm për një gjë jemi të sigurtë sa i përket të ardhmes: se gjithmonë do të jemi në gatishmëri për t’iu shërbyer qytetarëve tanë. Kërkesa e tyre është amanet për ne. Këtë ndjenjë na ushqen vetëm Zoti!