Regjistrimi i popullsisë në Maqedoninë e Veriut, do të mbyllet të enjten më 30 shtator, përkundër debateve e paralajmërimeve nga Enti i Statistikës, se do të kërkojë shtyrjen e këtij procesi për disa ditë, për shkak të sulmeve të hakerëve, të cilat për disa ditë kishin penguar regjistrimin në terren.

Nga Enti i Statistikës kanë bërë të ditur se regjistrimi do të mbyllet deri në fund të ditës, ndërsa këtë e konfirmon edhe ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq.

“Unë vetëm mund të përgëzoj Entin Shtetëror të Statistikës dhe të gjitha institucionet tjera, që ishin të përfshira apo që ndihmuan regjistrimin. Ishte një operacion i rëndë dhe i ndërlikuar. Së pari pasi ndodh për herë të parë pas 20 vjetësh dhe së dyti, pasi për herë të parë realizohet me një metodologji të re të Eurostatit, por edhe me teknologji të re, pra në mënyrë elektronike, por edhe për shkak të debateve të shumta politike dhe problemeve të shumta, teknike, sulmeve të hakerëve, por për fat të mirë të gjitha këto i tejkaluam me sukses. Pres që deri në fund të ditës të marr njoftimin e Entit të Statistikës, se regjistrimi i popullsisë ka përfunduar me sukses”, ka deklaruar ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq.

Ai tha se rezultatet e regjistrimit do të publikohet diku nga muaji mars, ndërsa procesin e vlerësoi të mirë, pasi siç tha, popullata nuk iu përgjigj thirrjeve për bojkot të regjistrimit.