Është arritur kuota prej 750 personash që pala greke lejon për të kaluar kufirin, por pas urdhrit të dhënë nga pala greke ka rinisur sërish puna në doganën e Kakavijës.

Qeveria greke njoftoi më herët se do të punohet deri në orë 23:00 të ditës së sotme, e nëse nuk përfundohen procedurat mund të zgjasë gjatë gjithë natës.

Revoltat dhe protesta pati edhe nga ana e emigrantëve shqiptarë. Qytetarët që presin në radhë në Kakavijë kanë debatuar me efektivët e Policisë dhe nuk pranojnë të lëvizin prej aty edhe pas plotësimit të kuotave.

Në pikën kufitare te Kakavijës mijëra persona qëndruan te bllokuar edhe te shtunën. Ata janë shtetas shqiptare me leje qëndrimi në Greqi që po kthehen për t’i shpëtuar rregullit që i detyron të karantinohen një javë. Pothuajse një e katërta janë shtetas grekë, shqiptarë që kanë fituar nënshtetësinë greke apo edhe minoritarë.

Të gjithë vuajnë pritjen e gjatë e cila ka shkaktuar edhe një krizë humanitare. Familje të tëra me të moshuar dhe fëmijë të vegjël e kanë shumë të vështirë qëndrimin.

Ndërkohë, kujtojmë se, Drejtoria Vendore e Kufirit dhe Migracionit Korçë njofton se nga Pika e Kalimit Kufitar Kapshticë drejt Republikës së Greqisë lejohen të kalojnë vetëm 300 shtetas dhe aktualisht kjo kuotë është plotësuar, dhe nga ana e palës greke është pezulluar puna.