Në katin e 12 të një pallati, i cili ndodhet në lagjen “Emin Matraxhiu” të qytetit të Elbasanit, një qytetar ka ndërtuar një ballkon pa leje ngjitur me ballkonin e fqinjit.

Alban Dervishi ka denoncuar tek “Fiks Fare”, Isa Krekën komshiun e familjarëve të tij, i cili ka ndërtuar pa leje.

“I jam drejtuar emisionit “Fiks Fare” pasi nga institucionet nuk kam gjetur zgjidhje. Është një ndërtim pa leje që ka prekur ballkonin e familjarëve të mi. Ata me shkresa thonë se do marrin masa, por s’kanë bërë asgjë”, shprehet ai.

Qytetari prej dy vitesh nuk ka marrë asnjë zgjidhje nga Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit . Ky i fundit edhe pse ka nxjerrë vendimin për prishjen e ndërtimit pa leje, nuk ka mjete për ta ekzekutuar atë. “Fiks Fare” iu drejtuar këtij institucioni dhe kryeinspektori Leli Kaja u shpreh se kërkon ndihmë nga Inspektorati i Tiranës, pasi nuk ka mjetet e duhura për të bërë prishjen e ndërtimit pa leje.

“Kemi verifikuar situatën është mbajtur procesverbali i konstatimit dhe kemi vendosur prishjen e shtesës. Ndodhemi në një situatë që nuk kemi mjete për ta bërë. Objekti ndodhet në katin e 12 i kemi kërkuar ndihmë Tiranës. E kemi në planin e Janarit 2017 që ta prishim” tha ai.

Pas dy muajsh situata nuk morri zgjidhje. “Fiks Fare” ju drejtua sërish Inspektoriatit . Kryeinspektori Kaja u shpreh se në pamundësi për të marrë ndihmë nga Tirana i ka kërkuar Bashkisë së Elbasanit të caktojë një shumë parash për të mundësuar një kompani private që do të mund të ndërhynte me mjetet e nevojshme për të bërë prishjen e ballkonit pa leje.

“Në mungesë të mjeteve dhe punëtorëve të specializuar i kemi kërkuar Bashkisë të japi një fond me prokurim për të paguar një kompani private që do të bëjë prishjen. Kemi pasur dhe raste të tjera që s’kemi ndërhyrë dot pasi ka mungesë mjetesh. Aktualisht kemi gjetur një zgjidhje, që për çdo rast që konstatohet i drejtohemi Bashkisë që të nxjerrë një fond për të bërë të mundur prishjen”, përfundoi Leli. Kryeinspektori gjithashtu premtoi para kamerës se do të zbatonte ligjin deri në fund.

20 qershor 2017 (Shqip)