Rreth 200 organizata, kryesisht në Rusi dhe në Ukrainë janë prekur nga virusi kompjuterik Bad Rabbit, katër muaj pas sulmit global kibernetik, NotPetya që u identifikua në këto dy shtete, njoftoi sot shoqëria e specializuar “Kaspersky Lab”.

“Sipas kompanisë ruse të sigurisë kompjuterike, pothuajse 200 objektiva janë prekur”, kryesisht në Rusi por gjithashtu në Ukrainë dhe në një masë më të vogël në Turqi dhe në Gjermani.

“Kaspersky Lab” njoftoi se sulmi u identifikua dje në mëngjes, dhe shtoi se kompanitë e prekura kanë istaluar manualisht Bad Rabbit, që prezantohej në formën e një programi për instalimin e softuerit Adobe Flash, për të infektuar kompjuterat.

Disa media ruse u prekën përfshirë Fontanka, web-i kryesor i informacionit të Shën Peterburgut (veri-perëndim) dhe agjencia e lajmeve Interfax ku faqja në internet vijon të jetë edhe sot jashtë shërbimi.