Policia Rrugore ka shtuar masat për menaxhimin e trafikut në sezonin e verës dhe parandalimin e aksidenteve. Nëpërmjet një deklarate për shtyp, drejtori i policisë, Mithat Tola apeloi që drejtuesit e mjeteve të moderojnë shpejtësinë, të evitojnë sjelljet e rrezikshme në rrugë si parakalimet e gabuara dhe manovrat e papërshtatshme.

“Bashkatdhetarëve turistë që ndodhen me pushime në vendin tonë të marrin kohën e duhur për pushim dhe udhëtim, sidomos kur janë familjarisht në udhëtim me mjetet e tyre, të evitojnë përdorimin e pijeve alkoolike.

Policia Rrugore ka evidentuar faktin së në aksidentet me pasojë të evidentuara ditët e fundit, janë përfshirë këmbësorë. Ndaj apelojmë këmbësorët: të respektojë me korrektësi rregullat e qarkullimit; të kalojnë në vijat e bardha dhe mbikalimet, pasi edhe nga vëzhgimet e patrullave të Policisë Rrugore në rrugë urbane dhe interurbane, shumica e këmbësorëve nuk i respektojnë ose i respektojnë pjesërisht normat e sjelljes në rrugë.

Në qendrat e banuara dhe në zonat rurale një tjetër kategori drejtuesish mjetesh të përfshirë në aksidente, janë edhe drejtuesit e çiklomotorëve.

Në të gjitha Drejtoritë e Qarqeve dhe veçanërisht në zonat bregdetare, Policia Rrugore është duke kryer shërbime me orë të shtuara, me qëllim përballimin e fluksit të madh të automjeteve që qarkullojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë gjatë sezonit veror”, u shpreh drejtori i Policisë.

Më tej ai bëri me dije se gjatë muajit korrik, Policia Rrugore ka arrestuar 101 drejtues mjeti për drejtim mjeti në gjendje të dehur, 164 drejtues automjetesh për drejtim pa leje drejtimi.

Ndërkohë, janë ndëshkuar rreth 7 mijë drejtues mjetesh për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit.

3 gusht 2018 (gazeta-Shqip.com)