Finalizohet në Vlorë operacioni antidrogë “Vjeshta”, ku është sekuestruar kokainë dhe para të përfituara nga aktiviteti kriminal. Burimet zyrtare bëjnë me dije se kanë arrestuar poseduesin e lëndës narkotike., Artan Agolli, 48 vjeç, lindur në fshatin Zvarisht, Korçë dhe banues në fshatin Dhërmi Vlorë. Sipas hetimeve me metoda speciale, u bë i mundur lokalizimi i vendndodhjes së personit dhe në mënyrë të mirëorganizuar dhe profesionale u arrit kapja në kushtet e flagrancës e shtetasit Artan Agolli, në godinën ku edhe jetonte përkohësisht në fshatin Dhërmi, Vlorë. Nga kontrolli i banesës, policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale drogë, materiale tė ndryshme dhe para të përfituara nga shitja e lëndës narkotike 107 doza lëndë narkotike e dyshuar e llojit kokainë, 353.000 (treqind e pesëdhjetë e tre mijë) lekë të rinj, 875 (tetëqind e shtatëdhjetë e pesë €) Euro, si dhe 100 (njëqind $) dollarë; një automjet i markës “Mercedes Benz”, një peshore elektronike, dy aparate celularë.

Ndërkohë në Sarandë, Policia arrestoi në flagrancë shtetasin:Marjo Kola, 42 vjeç, banues në Sarandë, menaxher dhe banakier në një lokal. Kapja dhe arrestimi i tij u bë në lokalin ku punon pasi gjatë kontrollit të ushtruar në banakun e këtij lokali, u gjet dhe u sekuestrua 4 gramë lëndë narkotike e dyshuar si kokainë. Materialet iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme. Gjithashtu në zbatim të planit të masave për kontrollin e territorit, janë shoqëruar për verifikim 28 persona kryesisht ata me precedent penal.

23 shtator 2018 (gazeta-Shqip.com)