Pasi riktheu edhe njëherë në vëmendje të opinionit publik lidhjen e policisë me krimin nëpërmjet një dëshmie të saj, ku rrëfente dhunën e ushtruar nga i biri i një deputeti të PS, 25-vjeçarja Xhisiela Maloku ka rrëfyer në “Open” në TCH një version krejt ndryshe të historisë.

Vajza ka mohuar dhunën nga Rexhep Rrahja dhe prezencën e politikanëve në komisaritat që e denoncoi oficeri Emiljano Nuhu, por se cili version i ngjarjes është i vërtetë mbetet të diskutohet.

Xhisiela ka mohuar se kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla, apo deputeti Rrahman Rrahja dhe kryebashkiaku i Krujës, Artur Bushi të ndodheshin në komisariat. Ajo gjithashtu theksoi se nuk është marrë me forcë nga njerëzit e Rexhepit për t’u çuar në komisariat, por nënvizoi se është përshëndetur miqësisht me disa prej tyre.

INTERVISTA:

Ku keni qenë në datë 21 në darkë?

Kam qenë në Tiranë pastaj në komisariatin e Fushë krujës. Shkova vetë në Komisariat. Nuk është e vërtetë që më kanë marrë me zor.

Me kë shkove?

Kam shkuar me një shoqen time.

Kush ka qenë atje?

Ka qenë oficeri i policisë Gentian Çitozi, Rexhepi, babai dhe një kushëri i tij kanë qenë jashtë. Ato që kanë thënë që më kanë kërcënuar më kanë mbështetur gjithmonë.

Pse vajte në darkë?

Ashtu e mendova.

Pse nisi në orën 10 marrja në pyetje?

Sepse duhet të vinte avokatja dhe psikologja. Kam qenë para psikologes dhe avokatit.

A ju ushtruan presion brenda komisariatit?

Jo. Unë kam qenë në Tiranë dhe më pas direkt në komisariat pa shkuar në shtëpi.

Në datën 21 kush ishin personat prezentë?

Brenda ishte vetëm oficeri Çitozi dhe Rexhepi. Jashtë ishte një kushëri i Rexhepit, babai.

A nuk ishin Taulant Balla dhe Artur Bushi?

Jo absolutisht, e them me bindje të plotë.

1 tetor 2018 (gazeta-Shqip.com)